Ndjeshmëria ndaj balancës

Kur nxehemi, na ndryshon natyra dhe e humbasim ekuilibrin. Kur hyjmë në luftë, e humbasim balancën. Kur përjetojmë kontradikta interesash, e humbasim qetësinë. Kur torturohemi apo na bëhet padrejtësi, e humbasim ekuilibrin. Kur japim vendim në lidhje me ndonjë të afërmin tonë dhe në lidhje me ndonjë rival tonin, e humbasim ekuilibrin. Kur përjetojmë ndonjë ngjarje të gëzueshme, e humbasim ekuilibrin. Kur bëhemi luftëtarë, e humbasim xhihadin.

Një herë ambasadorët perëndimorë e pyetën kryetarin e Entit për Çështjet Fetare të Turqisë, Prof. Dr. Mehmet Gërmezin: “Në cilën shkollë marrin mësim këta njerëzit e ISIS-it?” Ai iu përgjigj duke nënkuptuar burgun Ebu Gurejb, që u ndërtua pas pushtimit të Irakut: “Në universitetin tuaj, Ebu Gurejb.” Aty kanë ushtruar aq shumë tortura çnjerëzore ndaj grave, burrave dhe fëmijëve saqë njerëzve nuk u ka mbetur mundësi ta ruajnë ekuilibrin.”

Edhe kur rusët e shkatërruan Groznin, bënë tortura çnjerëzore. Për shkak të kësaj, në atë periudhë lindi “lëvizja e rezistencës” që do t’i merrte peng fëmijët rusë. Tmerri izraelit që ushtrohet në Palestinë ka hapur kohën e sulmeve kamikaze që nganjëherë kanë në shënjestër edhe civilët. “Ekuilibri Islam? Kur ndërron natyra, mund të tjetërsohet edhe ekuilibri islam.”

Umeri (r.a.), ka thënë: “Ai që nuk i di ligjet tona të tregtisë, të mos vijë në tregun tonë.” Ndërsa Imam Gazaliu ka thënë: “Njeriu që pranon Islamin në mëngjes e ka obligim ta mësojë faljen e namazit kur të hyjë koha e namazit të drekës.”

Sahabët, domethënë, njerëzit që janë edukuar pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe që e rinovonin besimin e tyre me çdo ajet që zbriste, shpesh herë ndjenin nevojë për të thënë: “Ejani të besojmë një orë.” Ata kishin ndjeshmërinë e një besimi që rinovohej gjithmonë kudo që të gjendeshin.

Nganjëherë edhe shkencëtarët dhe mendimtarët myslimanë të shekullit tonë kanë bërë apel në formën: “Përsëri në Islam.” Kjo thirrje u bë si rezultat i dobësimit dhe i prishjes së marrëdhënieve tona me Islamin dhe i humbjes së ekuilibrave.

Dikur patëm thënë se edhe njeriu mund të përjetojë lodhje në fe pikërisht siç nuk mban më edhe metali. Kështu dhamë mendimin: “Nganjëherë mund të lodhet edhe vetë dhikri i njeriut.” Për shembull, ka një panoramë shpirtërore të cilën e shpreh edhe Kurani Fisnik në formën: “Ngrihen me përtaci për të falur namazin.”

Islami është feja e ekuilibrit dhe balancës

Allahu Teala është ai që e vendos ekuilibrin dhe që kërkon mbrojtjen e tij. Ai na e tërheq vërejtjen duke këmbëngulur: “Mos e shkelni balancën!” (Rrahman, 7-8)

Balancën nuk duhet ta shkelim as në marrëdhëniet me gjërat, as në marrëdhëniet me njerëzit, shoqëritë dhe gjallesat e tjera. Të qenët familje ka një balancë. Edhe të qenët tarikat, medhheb, xhemat, shtet, fëmijë, i ri, i moshuar, burrë, grua, drejtor, etj. e ka një balancë. Në cilëndo fushë të jetës që mund të gjendemi, çdo pozicion e ka një balancë. Kjo është feja.

Libri i jetës private të çdo njeriu shkruhet sipas zbatimit të këtyre balancave. Për këtë arsye, fenë duhet ta mësojmë në këtë kuptim dhe duhet ta bëjmë disiplinë të jetës. Edhe të mësuarit e fesë është një punë që kërkon mund, edhe të shndërruarit e saj në disiplinë të jetës. Edhe struktura e mendjes sonë duhet të formohet sipas balancave islame. Kjo çështje mbart një rëndësi jetike. Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për balancimin e kodeve personale…

Çfarëdo pozite që të kemi në jetë, çfarëdo rruge që të kemi përvetësuar në lidhje me marrëdhënien tonë me Islamin, jemi të detyruar të veprojmë me përpikëri në çështjet bazë të të qenët mysliman. Për shembull, një njeri që nuk e ka të saktë akiden/besimin, nuk mund të jetë as dervish, as profesor, as sheh, as nënë, as baba, as biznesmen, as ushtar, as luftëtar dhe as burrë shteti. Për këtë arsye, murshidët e përsosur kanë thënë: “Së pari duhet të rregullosh akiden.” Përse? Sepse akide do të thotë kodet themelore të besimit. Ndërsa kodet themelore të besimit Islam do të thonë ta lexojmë saktë jetën dhe gjithësinë, domethënë, ekzistencën tonë në këtë botë. Këto kode janë këndvështrimi themelor. Pra, formën e të lexuarit të jetës dhe universit.

Për shembull, një njeri që nuk e ka përvetësuar siç duhet besimin ndaj Allahut Teala, asgjë të tij nuk mund ta ketë të saktë. Për këtë arsye, pjesa e parë e shehadetit që formon themelin e amentusë së Islamit, fillon me shprehjen e mohimit: “La ilahe – nuk ka zot.” Domethënë, Islami sikur thotë: “Së pari pastroje mendjen.” Si do të pastrohet? Së pari duhet ta njohësh mikrobin, në mënyrë që të shpëtosh prej tij. Allahu Teala thotë: “Edhe dëshirat e tua mund të bëhen zot. Përpara mund të të dalin faraonë që kanë shpallur se janë zot. Shejtani mund të të kërkojë ta adhurosh. Dashuria mund të të rrëshqasë dhe si rezultat, mund ta duash dikë siç do Allahun. Frika mund të të rrëshqasë, kërkesat për ndihmë mund të të rrëshqasin…” Disiplina e besimit është që të gjitha këtyre t’u thuhet: “Nuk ka zot.” Dhe pastaj të arrish te pjesa: “Il-lall-llah – përveç Allahut.”

Për shembull, një person që nuk e ka përvetësuar besimin ndaj Ahiretit, pothuajse e ka të pamundur të realizojë një ecje me harmoni në jetë. Nëse një njeri nuk e ka vendosur “disiplinën e Ahiretit” në qendrën e jetës së kësaj bote, nuk mund të ketë ndjesinë për t’u mbrojtur nga gabimi ngaqë nuk e ka të gjallë vetëdijen se do të japë llogari për çdo veprim të tij.

A mund ta kuptojë mjaftueshëm një person që nuk i ka caktuar saktë lidhjet me Muhamedin (s.a.s.), se si mund të përfaqësohet në formën më të bukur Islami në personalitetin e një njeriu? A është e mundur që një njeri, i cili nuk e ka bërë vath në vesh fjalën e Allahut, të bëjë një hartë të saktë për rrugën? Le të bëjmë një pyetje pak më të qartë: Si mund të zbatohet Islami pa pranuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), si prijës? Si mund të zbatohet Islami pa e pranuar Librin e Allahut?

Amentuja është besim ndaj Fuqisë që ka vendosur për krijimin tënd, për shpërnguljen tënde nga kjo botë, për frymëmarrjet e tua dhe e cila është sundimtarja absolute e planit të kaderit. Balanca është amentuja. Balanca është Kurani Fisnik. Balanca është i Dërguari i Allahut (s.a.s.).

Gabimet që njeriu bën në jetë burojnë ose nga mosnjohja e balancës, ose nga pamundësia për ta shndërruar balancën në disiplinë të jetës, ose nga përpëlitja në furtunat e kësaj të fundit.

A e njohim mjaftueshëm akiden tonë ne si myslimanë? Për shembull, a kemi marrë ndonjë edukim akideje që çdo bazë e besimit të ketë mundësinë të funksionojë deri në botën tonë të brendshme? A kemi marrë ndonjë edukim të shëndoshë për Kuranin Fisnik ne si myslimanë? A e kemi mësuar rrokje-rrokje jetën shembullore të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ne si myslimanë? A ndjejmë dashuri për atë? A kemi marrë ndonjë edukim që t’i shndërrojmë në mish e kocka tonat sjelljet e tij të shkëlqyera? Të qenët dervish ka lidhje më vullnetin për ta tërhequr veten në disiplinën e adhurimit. Vallë, a e dimë fikhun, domethënë, ai i dimë gjërat që janë pro dhe kundër nesh në fe?

Le të themi se jemi myslimanë të rinj. A i njohim obligimet e Islamit të cilat quhen “zarurati dinijje”? Në cilën shkallë është vendosmëria jonë për të ndërtuar një jetë në të cilën zbatohen kufijtë e Allahut Teala? Të qenët mysliman është punë serioze. Myslimani është një njeri që e merr seriozisht jetën dhe që nuk e shikon këtë botë si lojë dhe dëfrim. Për këtë arsye, myslimani është një njeri që e di nëse është e pastër apo e ndyrë qoftë edhe gjëja më e vogël që mund të hyjë në jetën e tij. Myslimani është një njeri që e di se librin e veprave të tij mund ta shkruajë vetëm ai, që e di se libri i llogarisë së tij mund të mbrohet vetëm nga ai dhe që e di se do të jetë i vetëm kur të merret në llogari në gjykatën e madhe. Atëherë, kujt mund t’ia lëmë në dorë llogarinë e Mahsherit?

Ne si botë islame po përjetojmë përçarje të mëdha. Edhe bota jonë intelektuale dhe shpirtërore po e merr pjesën e saj nga këto përçarje. Për këtë arsye, duhet t’u hedhim edhe një sy balancave të jetës sonë. Pastaj duhet të përpiqemi që të mos biem në anaforën e shndërrimit në të ligjshme të atyre gjërave që janë të paligjshme… Të gjitha fushat e jetës sonë duhet t’i fusim brenda kornizës së Islamit… Xhihadin tonë duhet ta sitim në sitën e disiplinës së xhihadit të madh…

Tasavufin duhet ta pranojmë si edukim “për t’u bërë një rob që jeton sikur e sheh Allahun”. Për këtë arsye, duhet të largohemi nga veprimet që nuk e kënaqin Atë. Nëse dikë do ta vëmë përpara dhe do ta kapim për dore si “murshid”, duhet të jemi të sigurt në udhërrëfimin e tij. Tarikati ynë duhet të jetë rruga që na shpie te Allahu Teala.

Sinqeritetin tonë duhet ta shfaqim brenda kornizës që Allahu është i kënaqur. Asnjëherë nuk duhet t’u bindemi krijesave duke kundërshtuar Allahun (xh.sh.). Bashkimin tonë duhet ta formojmë mbi themelin e garës në mirësi dhe duhet ta shndërrojmë në bashkim të të sinqertëve e të të devotshmëve.

Nga mëkatet duhet të ikim siç ikim prej shejtanit. Për këtë arsye, nuk duhet të biem në kurthin e shejtanit i cili thotë: “Sidoqoftë Allahu fal.” – dhe nuk duhet të zhytemi në gabime. Në pesë vaktet e ditës duhet të qëndrojmë në audiencën e Allahut Teala dhe ta testojmë qëndrimin tonë prej myslimani. Brenda nesh vazhdimisht duhet të jetojë emocioni për ta marrë veten në llogari. Çdo punë që do ta bëjmë, duhet ta bëjmë duke u treguar të kujdesshëm pa u shkëputur nga vetëdija e nënshtrimit ndaj Zotit (xh.sh.). Nga Kurani Fisnik dhe nga disiplina e jetës së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), të cilët janë balancat themelore, duhet të përcaktojmë kornizën kryesore dhe të përpiqemi që personalitetet tona t’i formojmë përsëri sipas kësaj kornizë.

Le të mendojmë se nesër mund të marrim ftesën për t’u shpërngulur nga kjo botë dhe pastaj do të dalim në audiencën e Zotit (xh.sh.), bashkë me librin e jetës sonë. Për këtë arsye, duhet t’ia nisim rrugës duke e marrë librin e jetës sonë në krahë me bindjen se është një libër që do të na bëjë të fitojmë kënaqësinë e Allahut Teala.

Zoti (xh.xh.), e bëftë ecjen tonë në këtë botë një ecje që synon arritjen me sinqeritet te Ai! Gjithashtu edhe në botën e përhershme na bëftë prej atyre që dalin me fytyrë të bardhë në audiencën e Tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *